Home / Lajme / Ministri i arsimit, Arbër Ademi mori pjesë në inagurimin e sallës sportive në Shkollën e Mesme Ekonomike “Pero Nakov” në Kumanovë

Ministri i arsimit, Arbër Ademi mori pjesë në inagurimin e sallës sportive në Shkollën e Mesme Ekonomike “Pero Nakov” në Kumanovë

Ndryshimi i fundit E premte, 9 Nëntor, 2018 15:28
Ministri i arsimit dhe shkencës, dr.Arbër Ademi, sot mori pjesë në ceremoninë e inagurimit të sallës së re të sportit në Shkollën e Mesme Ekonomike “Pero Nakov” – paralelet shqipe, në Kumanovë.

Loading...

Ademi, para të pranishmëve shprehi kënaqësinë që sot si ministër i arsimit dhe shkencës po e lëshon në përdorim këtë sallë duke kujtuar edhe periudhen e vendosjes së gur-themelit të saj deri sa ishte në detyrën e zëvendës kryeministrit për çështje evropiane.

Ministri Ademi, gjithashtu uroi të gjithë nxënësit me shpresën se nga ajo sallë të dalin sportistë të mëdhenj dhe të dalluar.

“Me këtë tast, dua t’i uroj të gjithë, e posaçërisht nxënësit e kësaj shkolle për këtë investim kapital, të cilin deri më tani nuk e kishin, ndërsa tanimë është punë e kryer. Uroj që nga këtu të dalin sportistë të mëdhenj dhe të dalluar; të shënojnë suksese të njëpasnjëshme dhe unë të jem dëshmitar i këtyre ngjarjeve, mbase atëherë kënaqësia për mua do të jetë edhe më e madhe, sepse pikërisht për ndërtimin e kësaj salle kam insistuar me ngulm dhe i kam intensifikuar aktivitetet që sa më shpejtë të përfundojë ky objekt, që sot të vjen dita ta lëshojmë në përdorim”.- deklaroi Ademi.

Objekti është me efikasitet energjetik, me sipërfaqe prej 650 metra katrorë, i cili është i pajisur plotësisht me pajisje sportive dhe rekuizite për më shumë sporte, si: futboll, basketboll, volejboll, hendboll, pingpong dhe gjimnastikë. Gjithashtu, kjo sallë sporti posedon edhe dhoma zhveshjeje, dush-kabina, kabinete të posaçme për mësues, për rekuizita etj.

Ky investim është në vlerë të përgjithshme prej 23.5 milionë denarësh dhe i njëjti realizohet në kuadër të projektit të Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për ndërtimin e 145 sallave sportive dhe rikonstruktimin e objekteve shkollore, për të cilin projekt mjete janë siguruar nga buxheti i shtetit dhe nëpërmjet Bankës për Zhvillim pranë Këshilli të Evropës.

Ademi i uroi ata që mezi presin të fillojnë ta shfrytëzojnë këtë sallë duke porositur që të jenë të kujdesshëm në mirëmbajtjen e objektit sportiv.

“I këshilloj të jenë të kujdesshëm, ta ruajnë dhe ta mirëmbajnë që edhe gjeneratat e ardhshme ta “shijojnë” këtë objekt sportiv modern”. – përfundoi ministri i arsimit dhe shkencës dr.Arbër Ademi.

AlbPortali:
Nëse shtypni reklamat në lajmet që lexoni këtu, ju mundësoni të funksionojmë si portal i pavarur. Ju falemnderit nga ©AlbPortali.Com

WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com