Home / Shëndetësi / Probleme me lëkurën që nuk duhet asnjëherë t’i injoroni

Probleme me lëkurën që nuk duhet asnjëherë t’i injoroni

Përshtati në shqip: Blertina Koka

Ju është acaruar lëkura, është mbuluar me puçrra apo disa njolla të pazakonta? Inflamacioni i lëkurës, ndryshimet në ngjyrë dhe strukturë, dhe njollat mund të shkaktohen si pasojë e një infeksioni, gjendje kronike të lëkurës ose kontakti me një alergjen. Nëse mendoni se keni një nga këto problemet e zakonshme të lëkurës te të rriturit, bëni një kontroll te mjeku.

Loading...

Shumica prej tyre janë të lehta, megjithatë ka edhe raste kur mund të paralajmërojnë për një problem të rëndë shëndetësor.

Zjarri i natës (Herpes Zoster)

Herpes Zoster, ose siç njihet ndryshe në gjuhën popullore me emrin zjarri i natës, është një sëmundje virale që mundon të moshuarit, sidomos në mbrëmje. Kjo sëmundje infektive shkaktohet nga i njëjti virus që shkakton edhe variçelën apo linë e dhenve.

Shenjat e para të simptomave të zosterit janë djegia apo dhimbja bezdisëse dhe ndonjëherë mpirja e lëkurës, në zonën e prekur. Pacienti mund të ketë ethe, dhimbje koke apo edhe të përziera.

Dhimbja e HZ mund të jetë mesatare deri e fortë, shpesh njerëzit e përshkruajnë si mjaft rebele. Pacientët me zoster të trungut mund ta ndiejnë në formë spazmash edhe në prekjen apo ngacmimin më të lehtë.

Pas 48-72 orësh nga këto shenja dhe simptoma, në lëkurë fillojnë e shfaqen disa fshika (vezikula) të vogla, të mbushura me lëng, të ngjashme me linë, në zonën më të skuqur të lëkurës. Ato shfaqen me intervale, për një periudhë prej 3-5 ditësh. Vendi ku ato shfaqen (gjithmonë unilaterale, në fytyrë, trung, zonën lumbare, në kofshë) na jep njëkohësisht të dhëna për lokalizimin e deritanishëm të virusit.

Pas daljes, vezikulave do t’u duhet një deri në dy javë për t’u bërë kore. Koret, nga ana e tyre, kërkojnë një periudhë tjetër dyjavore për t’u përtharë.

Dhimbja ndërkohë vjen duke u pakësuar, por ajo shpesh vazhdon me muaj deri edhe vite.

Urtikariet

Urtikariet mund të shkaktohen nga temperaturat e larta, infeksionet si streptokoku dhe alergjitë ndaj ilaçeve, ushqimeve dhe aditivëve ushqimorë. Ajo manifestohet me simptoma të tilla si ënjtje të bardha të rrethuara me skuqje në gjithë sipërfaqen e lëkurës, e cila ka pamjen e një harte dhe shoqërohet me kruajtje të theksuar. Këto shenja mund të shfaqen në çdo pjesë të trupit dhe të zgjasin nga disa minuta në disa ditë.

Psoriaza

Psoriaza është një patologji autoimune kronike, në përgjithësi e trashëgueshme, e cila mund të mbahet nën kontroll, por nuk zhduket asnjëherë plotësisht. Kjo sëmundje prek lëkurën, thonjtë dhe skalpin e kokës. Ka disa faktorë që e acarojnë ose japin shpërthime të reja si: Infeksionet e ndryshme dhe kryesisht ato të grykëve, stresi emocional dhe fizik, përdorimi i pijeve alkoolike, disa medikamente.

Melazma (“Maska e shtatzënisë”)

Një ndryshim i lëkurës është ai i hiperpigmentimit, errësim i ngjyrës së lëkurës në faqe, hundë, ballë dhe mjekër. Kjo gjendje quhet shpesh “maska e shtatzënisë” sepse shfaqet më së shumti te gratë shtatzëna. Shenjat mund të shtohen edhe më shumë me ekspozimin në diell, prandaj përdorni gjithmonë krem kundra diellit. Në shumë raste lëkura rregullohet pas lindjes.

Njolla të moshës

Këto njolla ngjyrë kafe ose gri nuk shkaktohen realisht nga mosha, edhe pse bëhen më të dukshme ndërkohë që plakeni. Ato zhvillohen nga ekspozimi në diell, prandaj shfaqen më së shumti në fytyrë, duar dhe krahë. Konsultohuni me një mjek dermatolog për të kontrolluar nëse këto njolla, si nishane, nuk paralajmërojnë për probleme më serioze, si melanoma, një lloj kanceri i lëkurës.

Burimi: WebMD / Shendeti.com.al

AlbPortali:
Nëse shtypni reklamat në lajmet që lexoni këtu, ju mundësoni të funksionojmë si portal i pavarur. Ju falemnderit nga ©AlbPortali.Com

WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com